Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas tërheqjes së profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës, duke shprehur keqardhje për vendimin e tij.
Përmes një reagimi në Facebook, partia në pushtet e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për, siç është shprehur, “dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi”.
Sipas LVV-së, kandidatura e Sejdiut ishte rezultat i marrëveshjes së arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe përbënte një mundësi që procesi i zgjedhjes së Presidentit të përmbyllej në Kuvend.
“Bekim Sejdiu ishte kandidat i përbashkët, i dalë nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve politike dhe me vullnetin për t’i dhënë vendit një zgjidhje. Kandidatura e tij krijoi mundësinë që zgjedhja e Presidentit të përmbyllej në Kuvend dhe Kosova të mos hynte sërish në një periudhë pasigurie institucionale. Lëvizja VETËVENDOSJE! i qëndroi kësaj marrëveshjeje dhe kandidatit të përbashkët deri në fund”, thuhet në reagim.
LVV-ja ka kritikuar deputetët që, sipas saj, e kanë penguar procesin.
“Fatkeqësisht, pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërsa PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend. Në këto rrethana erdhi edhe vendimi i profesorit Sejdiu për t’u tërhequr. Për muaj me radhë u kërkua dialog, kompromis dhe marrëveshje. Dialogu u zhvillua, kompromisi u bë, marrëveshja u arrit dhe kandidati i përbashkët u gjet. Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj”, theksohet më tej në reagimin e VV-së.
Sipas LVV-së, mospjesëmarrja e deputetëve në votim nuk përbën vetëm dallim politik rreth kandidatit, por, siç pretendon kjo parti, “pengim të vetë procesit kushtetues”.
“Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura.
E falënderojmë profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi”,
Në fund të reagimit, LVV-ja ka paralajmëruar se dështimi i procesit për zgjedhjen e Presidentit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të përsëritura.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi i LVV-së.
Ndryshe, kandidati për President të Kosovës, profesori Bekim Sejdiu, ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për kreun e shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, Sejdiu ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij, si dhe devijimi i procesit, ka vendosur të tërhiqet nga gara.
Ai ka bërë të ditur se për vendimin e tij ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për President rreth dy javë më parë, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së./teve1.info/







