Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si humbje për procesin tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës.
Sipas saj, procesi do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.
“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet. Fatkeqësisht, në vend që të krijojmë hapësirë për personalitete të tilla që të vënë dijen dhe përvojën e tyre në shërbim të shtetit, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata”. ka shkruar Nagavci në një reagim në Facebook.
Ajo ka shtuar se përpjekja për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja po e dërgon Kosovën “nga një bllokadë në tjetrën”, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e konsensusit të nevojshëm për vendin.
“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka përfunduar Nagavci.
Ndryshe, kandidati për President të Kosovës, profesori Bekim Sejdiu, ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për kreun e shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, Sejdiu ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij, si dhe devijimi i procesit, ka vendosur të tërhiqet nga gara.
Ai ka bërë të ditur se për vendimin e tij ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për President rreth dy javë më parë, pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së./teve1.info/







