Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu tregoi dinjitet përballë, siç e ka quajtur ai, “histerisë politike”, duke thënë se karakteri i tij dëshmonte se do të ishte zgjedhja e duhur për President.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.
Lideri i LDK-së ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka President, duke kritikuar situatën politike në vend, të cilën e ka cilësuar si “kaos politik” dhe “bllokadë si mjet”.
Ai ka kritikuar edhe sulmet ndaj Sejdiut, duke thënë se kandidati për President ishte bërë padrejtësisht shënjestër e tyre.
“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në fund, kryetari i LDK-së e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar gjatë kësaj periudhe.




