Të dy bashkë po vijnë në sallën e mbledhjeve.
Sikurse dy zëvendësit e kryeministrit, Glauk Konjufca e Donika Gërvalla, erdhën edhe pjesa tjetër e ekzekutivit.
I fundit që mbërriti në mbledhjen solemnel, ishte kryeministri, Albin Kurti,
Anëtarëve të kabinetit qeveritar, fillimisht u uroi punë të mbarë në qeverinë Kurti 4.
Për të pasur jetëgjatësi qeveria e re, Kurti theksoi rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit.
Prandaj, nga karrigia e kryeministrit, pati një thirrje.
“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje serish për të ardhur prapën në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi Albin Kurti.
E kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga shpallja e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti tha se beson në rikthimin e tyre në vendlindje.
“Për ne është gjithçka e qartë, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen në vendin e tyre, më pranë familjeve”, ka thënë kryeministri Kurti.
Me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, Kurti të dielën e mori mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
Në votim nuk morën pjesë asnjëra prej partive opozitare.



