Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj I.A., i cili është shpallur fajtor për veprën penale “Sulmi seksual”.
Aktgjykimi është shpallur pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor nga kryetarja e trupit gjykues për të mitur, Pranvera Ademi.
Sipas Gjykatës, I.A. është shpallur fajtor për veprën penale “Sulmi seksual”, nga neni 229, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas administrimit të provave dhe vlerësimit të rrethanave të rastit, gjykata e ka dënuar I.A. me 10 vjet burgim.
“Gjykata e ka dënuar të pandehurin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vjetësh, i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Përveç dënimit me burgim, gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, përkatësisht ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.
Në rastin e I.A., ndalimi lidhet me ushtrimin e profesionit “nëpunës teknik dhe mbështetës” në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës, për një periudhë prej pesë vjetësh, duke filluar nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.
Gjykata ka bërë të ditur se koha e kaluar në burgim nuk llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues.
Ndërkaq, me aktvendim të veçantë, I.A.-së i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.
Gjithashtu, koha e kaluar në paraburgim nga 1 prilli 2026 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit do t’i llogaritet në dënimin me burgim.




