Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Ai është ndalur te konstituimi i Kuvendit derisa ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga PDK.
E propozuara nga PDK, Vlora Çitaku, si fillim nuk i morri votat nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa rasti ditën e sotme është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK.
“Çdo njeri e ka një karakter dhe autoritet që duhet respektuar. Kurti publikisht thotë që i voton nënkryetarët e partive të tjera dhe publikisht mashtron në votim, ne nuk jemi aty për tu tallur. Ne i kemi pranuar të gjitha shkeljet kushtetuese që të kemi një Kuvend para datës 16 shtator kur merret vendimi për krerët e UÇK-së në Hagë, por Kurti është tallur me të gjithë”, ka thënë Mërgim Lushtaku në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Sipas Lushtakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me veprimet e tij po i shërben Serbisë.
“Çdo sekondë që Kurti qëndron në Qeverinë e Kosovës, mendoj se do t’i bëjë dëme Kosovës. Në mënyrë direkte apo indirekte po i shërben Serbisë. Kurti pati vota për nënkryetaren e Listës Serbe, por jo edhe për Vlora Çitakun”, vlerësoi Mërgim Lushtaku.







