Deputeti i PDK-së Arian Tahiri, në një konferencë për media tha se konstituimi i Kuvendit ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi kushtetuese.
A tha se për të gjitha rrjedhat nga seanca konstitutive do të dërgohet për interpretim në Gjykëtën Kushtetuese.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi kushtetuese. Pas shkeljes së afateve, bllokimit të përsëritur dhe vendosjes së kushteve të reja politike nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë qëndrimin e vet publik edhe në seancën paraprake kur nuk është votuar nënkryetari jonë për nënkryetar të Kuvendit”, tha Tahiri.
Tahiri tha se Kurti ka shpërfillur rendin kushtetues dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“ka shkelur afatet kushtetuese për interesa të ngushta politike dhe ka tentuar të luajë edhe me figurat politike të subjekteve opozitare. Ai gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë manovra politike për ta jetësuar skenarin e tij politik”, tha ai.
Deputeti u shpreh se çdo gjë që del nga ky Kuvend, do ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituar janë përtej afateve kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike. Ekspertët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rrastit i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi”, shtoi Tahiri.
Legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Kosovës është konstituar të dielën me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme zgjodhi Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetar, nga komuniteti jo serb Emilja Rexhepin dhe Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe.
Paraprakisht, ishte zgjedhur Ardian Gola nënkryetar të premten.
Gjithashtu sot është votuar edhe Qeveria “Kurti 4” në një seancë të jashtëzakonshme me 62 vota për.







