Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se partia e ka pritur më mirë nga sa ishte pritur. Haziri ka përmendur edhe angazhimin e LDK-së për të mbështetur Osmanin në procese të ndryshme politike.
Haziri, në emisionin “Këndi i debatit”, është pyetur nëse rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK e ka ndihmuar partinë apo nëse ka shtuar tensionet e brendshme.
Ai ka thënë se Osmani iu rikthye LDK-së pasi nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë presidencial dhe se partia, sipas tij, e priti më mirë sesa mund të ishte pritur.
“Politikisht, ajo ka ardhur në një moment kur nuk e mori besimin për një mandat të dytë. Këtë e kam thënë edhe njëherë dhe po e them prapë. Kur kemi folur për zonjën Osmani, nuk kam thënë se është duke e parë mandatin e dytë dhe jo kthimin në LDK”, tha Haziri.
Ai shtoi se Osmani e kishte synuar një mandat të dytë, por nuk arriti ta përkthente atë në një detyrë dhe besim të ri politik.
“Ajo është dëshmuar se mandatin e dytë e pa, por nuk mundi ta përkthejë në detyrë dhe në besim, veçanërisht te partia e parë. Edhe tani u kthye në LDK dhe LDK-ja e ka pritur shumë më mirë sesa kanë besuar të gjithë, të dyja palët politike në Kosovë”, u shpreh ai.
Haziri përmendi edhe mbështetjen që, sipas tij, LDK-ja i kishte dhënë Osmanit, duke theksuar se partia kishte mbledhur nënshkrime për një nominim të mundshëm të saj.
“Ia ka mbledhur 15 nënshkrime për një nominim eventual, për t’i evituar zgjedhjet e 28 dhjetorit. Nuk doli e mjaftueshme, nuk arritëm ta mbyllnim atë proces”, deklaroi Haziri.
Sipas tij, pas rikthimit në LDK, Osmani u bë bartëse e listës, ndërsa Haziri tha se askush nga partia nuk kishte kërkuar që ajo të largohej nga pozita e parë në listë.
“Është kthyer dhe është bërë bartëse e listës. Asnjëra nuk është kërkuar, asnjëri prej neve nuk i ka dalë përballë, edhe pse unë besoj se duhet të jetë mirënjohëse dhe falënderuese”, tha ai.
Haziri ka përmendur edhe zgjedhjet e vitit 2019, duke thënë se atëherë kishte ekzistuar mundësia për një listë të përbashkët mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
“Në vitin 2019 kemi mundur lehtë ta kemi një listë të përbashkët mes LDK-së dhe VV-së, ku ajo ka qenë vetë numri një. Kurti nuk e ka lëshuar atë numër dhe Vjosa nuk ka dashur të dalë e dyta. Tani, kur i bën këto veprime dhe e reagon gjithë këtë angazhim, LDK-ja është oqean në tolerancë dhe mirëkuptim. Edhe kjo është e vërteta”, përfundoi Haziri.







