Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës , Ganimete Musliu, ka komentuar ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila edhe sot dështoi të përfundojë për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Duke folur në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Musliu e cilësoi situatën si të qëllimshme, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon ta bllokojë konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
“Është asgjë e papritur. Është një skenar dhe skenaristi dihet, ndërsa aktorët janë duke e luajtur lojën në mënyrë fantastike. Thjesht, është një skenar i Albin Kurtit për ta bllokuar Kuvendin dhe krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Musliu.
Sipas saj, Kurti po e shfrytëzon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare për të zvarritur procesin e konstituimit të institucioneve.
“Ja ka arritur qëllimit, meqë e ka rezultatin fitues në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe këtë po e bën duke mos përfillur vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe duke e keqpërdorur skajshmërisht besimin e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Musliu tha se kjo situatë po vazhdon prej muajsh dhe se, sipas saj, zvarritja është e qëllimshme.
“Që nga 7 qershori vazhdon ta mbajë të bllokuar shtetin dhe kjo është e papranueshme jo vetëm për PDK-në, por duhet të jetë e papranueshme edhe për deputetët e VV-së dhe qytetarët e Kosovës. Është e qëllimshme kjo zvarritje”, deklaroi deputetja e PDK-së.
E pyetur nëse PDK-ja do t’i përgjigjet ftesës së Albin Kurtit për takim me partitë politike, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, Musliu tha se partia e saj nuk do të marrë pjesë në takim.
“Partia Demokratike e Kosovës është në opozitë dhe kaq. Këtë ia ka dhënë qytetari dhe ne e kemi pranuar që jemi në opozitë. Kemi deklaruar se do të qëndrojmë në opozitë dhe i kemi bërë të qarta qëndrimet tona se nuk duam takime me Kurtin”, tha Musliu.
Ajo shtoi se, deri në momentin e intervistës, nuk kishte informacion nëse PDK-ja i ishte përgjigjur zyrtarisht ftesës së Kurtit.
“Deri në këtë moment e di që Albin Kurti nuk ka marrë një përgjigje nga PDK-ja dhe nuk ka arsye për t’iu përgjigjur, sepse vetë ftesa e Albin Kurtit, mënyra se si e ka ftuar PDK-në sot, është në mënyrë provokative. Thjesht është për të provokuar dhe për të dalë në një deklaratë, siç doli sot, se gjoja ky është i gatshëm të punojë dhe të bëjë një zgjidhje, por në realitet ky vetëm shantazhon”, deklaroi ajo.
Musliu foli edhe për arsyet pse procesi ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ajo tha se PDK-ja e ka përmbushur kriterin duke e propozuar Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares dhe se, sipas saj, moszgjedhja e saj është përgjegjësi e Albin Kurtit.
“PDK-ja e ka përmbushur kriterin, ku ka dërguar emrin e vet, Vlora Çitaku. Arsyeja pse sot nuk u zgjodh është thjesht se Albin Kurti nuk do. Nuk e ka parë në skenarin e tij të dëmshëm për Kosovën që sot të konstituohet Kuvendi, edhe pse ju e dini se tashmë kanë kaluar afatet kushtetuese”, tha Musliu.
E pyetur nëse mund të arrihet një marrëveshje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për zgjedhjen e nënkryetarëve, Musliu e cilësoi një mundësi të tillë si të pamundur.
“Se si kërkon VV-ja një marrëveshje është e paarritshme, sepse VV-ja e di saktësisht që nuk është në domenin e saj dhe nuk ka të drejtë, në asnjë formë dhe në asnjë reformë, të imponojë emrat për nënkryetarë”, tha ajo.
Sipas Musliut, emrat për nënkryetarë duhet të delegohen nga grupet parlamentare përkatëse.
“Ato që i delegojnë emrat e kandidatëve të tyre janë grupet parlamentare. Edhe Partia Demokratike, në përfaqësinë e nënkryetarit të Kuvendit, e përfaqëson Vlora Çitaku dhe kjo është çështje e kryer nga PDK-ja”, deklaroi Musliu.
Ajo tha se emrat e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja nuk duhet të përdoren, sipas saj, për të zvarritur më tej procesin.
“Aludimi se janë të papranueshëm këta dy emra, ai i LDK-së dhe i PDK-së, është vetëm për t’i hedhur mjegull kësaj situate”, përfundoi Musliu.




