Pesë persona janë arrestuar të martën në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me tentimin për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milion eurosh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë të ditur se arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme e kanë pajisur personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej 2 hektarësh në Fushë Kosovë.
Më pas, sipas Prokurorisë, M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka tentuar ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes te dy persona me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Vlera e pronës, sipas njoftimit të Prokurorisë, është rreth 1 milion e 500 mijë euro.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 dhe nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas arrestimit nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka deklaruar se do të vazhdojë veprimet hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.









