Arabia Saudite ka akuzuar rebelët Huthi të Jemenit për nisjen e sulmeve ndaj objekteve civile dhe ekonomike në mbretëri, duke plagosur të paktën 73 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Akuza erdhi të martën ndërsa luftimet u intensifikuan në Jemen, ku qeveria e mbështetur nga Arabia Saudite dhe e njohur ndërkombëtarisht ka nisur një kundërsulm për të rimarrë territorin nga Huthitët e mbështetur nga Irani.
Gjeneralmajor Turki al-Maliki, zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton në Jemen, tha në një deklaratë se sulmet e rebelëve Huthi kishin goditur objekte civile dhe ekonomike në provincat Abha, Khamis Mushait, Jizan dhe Najran.
Ai nuk specifikoi se kur ndodhën sulmet, shkruan Al Jazeera.
Al-Maliki i përshkroi sulmet si një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “shkelje flagrante” të sovranitetit të Arabisë Saudite, duke paralajmëruar se ato përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe banorët e mbretërisë.
Ai tha se koalicioni do të marrë “të gjitha masat e nevojshme operative” për t’u përballur me sulmet dhe për të vepruar kundër burimeve të kërcënimit.
Ministria Saudite e Energjisë tha në një deklaratë të veçantë se disa “objekte dhe instalime të sektorit të energjisë” në zonat jugore të mbretërisë u goditën herët të martën.
Sulmet plagosën një “numër qytetarësh dhe banorësh” dhe shkaktuan “zjarre në disa vende”, duke detyruar një “ndërprerje të përkohshme të disa operacioneve”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha në një deklaratë se Riadi do të “merrte të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e tij”, duke kërkuar që Huthit të ndalojnë sulmet e tyre.
Huthitët lëshuan një deklaratë më vonë të martën, duke thënë se sulmet ishin në përgjigje të më shumë se 120 sulmeve të nisura nga Arabia Saudite në Jemen në tre ditët e fundit.
“Forcat e armatosura të Jemenit kryen një operacion ushtarak në shkallë të gjerë dhe me rreze të gjatë veprimi… duke përdorur dhjetëra raketa balistike dhe dronë”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Yahya Saree.
Më parë, grupi kishte akuzuar Arabinë Saudite për kryerjen e një sulmi ajror në një burg në al-Hazm, në provincën veriore të al-Jawf, duke vrarë të paktën shtatë persona. Grupi tha se “agresioni i vazhdueshëm saudit kundër Jemenit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.
Riadi nuk ka komentuar mbi akuzat.









