Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar organizimin urgjent të një konvente të madhe të kësaj partie, përmes së cilës, sipas tij, do të duhej të qartësohej rruga e LDK-së përpara.
Hoti ka bërë thirrje për një “Konventë të Pajtimit”, ku do të përfshiheshin të gjitha strukturat e partisë, përfshirë anëtarët e Kuvendit Qendror, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, si dhe Forumet e Gruas dhe Rinisë.
Sipas tij, kjo konventë duhet të shërbejë si një moment i ri për LDK-në dhe si mundësi për bashkimin e të gjitha strukturave të saj.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se konventa duhet të përcaktojë edhe ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt zgjedhjeve të ardhshme.
“Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka deklaruar Hoti.
Në fund, ai ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u angazhuar për organizimin e kësaj konvente, duke e përmbledhur mesazhin e tij me katër fjalë: “Pajtim – Bashkim – Besim – Fitore.”/teve1.info/










