Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, gjeopolitikës dhe sigurisë, Ilir Kulla, ka thënë se shteti i Kosovës është histori suksesi.
“Kosova është një rast suksesi. Kosovën e njohin mbi 100 shtete. Kur të krijohen institucionet e reja do të vijnë edhe njohje të reja”, ka thënë Ilir Kulla në emisionin “Matrix” në Tëvë1.
“Unë kam shkuar në Damask dhe kam kërkuar që Siria ta njoh Kosovën, kush do ta mendonte dikur se ky vend do të pranonte Kosovën shtet. Sot jemi në një situatë të re”, theksoi Kulla.
Drejtori i “Global Crisis Group”, i komentoi edhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
“Është një rast i veçantë në botë që njerëzit të qëndrojnë në paraburgim për 6 vjet. Nuk ka ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë As në Kore të Veriut nuk ndodh një gjë e tillë. Kjo është skandaloze. Ajo që po ndodh me ish-krerët e UÇK-së, ka lindur me një padrejtësi, po vazhdon me padrejtësi dhe mund të përfundojë më padrejtësi”, deklaroi ndër të tjera Ilir Kulla.







