Dy të dërguar të ShBA-së pritet të zhvillojnë takime në Ukrainë, pas bisedimeve që zhvilluan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për përfundimin e luftës.
Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të mbërrijnë në Kiev të dielën, pasi të shtunën zhvilluan bisedime me Putinin.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë takimit u diskutuan “plane konkrete për hapat e ardhshëm” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Detajet e këtyre planeve ende nuk janë bërë publike, por pritet që një njoftim të bëhet në javët e ardhshme, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje po intensifikohen, shkruan BBC.
Kjo do të jetë vizita e parë e Witkoff dhe Kushner në kryeqytetin ukrainas në kuadër të përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje që do t’i japë fund konfliktit.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky kanë rënë dakord për një ndalim tre-ditor të sulmeve ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit.
Armëpushimi i përkohshëm synon të krijojë hapësirë për zhvillimin e mëtejshëm të përpjekjeve diplomatike.











