1.76 euro po shitej të shtunën një litër naftë në këtë pompë derivateve.
Ndërsa një litër benzinë ishte 1.57 cent.
Këto çmime të derivateve të naftës po ju duken të larta qytetarëve.
“Shumë i lartë me rroga që i kemi. Unë nuk voziti, e kemi veturën e vozit djali po në përgjithësi jo vetëm për veti, por çdo gjë është shtrenjtë rrogat e vogla”, deklaroi një qytetar prishtinas.
Megjithatë më parë këto çmimet maksimale të lejuara për derivate, po i përcaktonte Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësish.
Por që nga e premtja këto çmime nuk do përcaktohen më nga kjo ministri, por vetëm do të monitorohen.
“Udhëzimi administrativ e përcakton që çmimi mund të përcaktohet deri në 90 ditë, ne kemi vazhduar deri në 150 ditë. Ne tashmë, sipas bazës ligjore, prej ditës së sotme, e kemi ndalur përcaktimin e çmimit maksimal. Në ditët në vijim do të bëjmë një monitorim të afërt të çmimit. I kemi njoftuar, kemi pasur takim edhe me shoqatën e naftarëve, përfaqësuesit e importuesve më të mëdhenj. Është çmimi i tregut, po, është çmimi i tregut sipas sasisë së importuar dhe marzhës që ata e përcaktojnë. Por, kjo është nën monitorim të afërt, ne jemi dashur ta kemi këtë hapësirë kohore, në të cilën e bëjmë një pauzë nga përcaktimi”, tha Mimoza Kusari, Ministre në detyrë e MINT.
E largimin e marzhës së çmimit të derivateve të naftës po e sheh si të gabuar edhe njohësi i tregut të naftës Jakup Gashi.
“Megjithëse shteti nuk ka ndërmarrë kurfarë mase, deri më tani kanë qenë disa vendime sa kam informacion edhe ai vendim është tërheqë për caktimin e marzhës gjë që është gabim. Shteti e ka pasur mundësin të praktikojë të njëjtën formë që e praktikon edhe për furnizim me derivate për vet qëllimin e qeveris, pra institucionet. Ku e merr çmimin bazë të BERZ-ës që i kalkon shpenzimet operative dhe e nxjerr çmimin mesatar, gjë që ka mundur të ushtrojë të njëtën mënyrë metodë edhe sa i përket qytetarëve. Të e nxjerr çmimin e BERZ-ës të i bëj kalkulimet dhe të nxjerrë një çmim fiks psh çmimin javorë, apo dy javorë, ose së paku tre katër ditë”, tha Gashi.
Kurse sipas ekonomistit Fidan Qerimi, Ministria është dashur të ndërmarrë hapa të tjerë për t’i mbrojtur qytetarët.
“Mendoj që MINT është dashur që të bëjë një hapë tjetër qoftë në zvogëlimin e TVSH-së që është më e komplikuar në pjesën e sistemit të administratës tatimore dhe reflektimit të tyre deri tek përdoruesi i fundit dhe tek bizneset e shitjes me pakicë. Kurse ulja e akcizës do të ndodhte në doganë dhe kjo është shumë më lehtë e realizueshme dhe për një periudhë të shkurtër kohore për sa është ky konflikt që ka ndikuar në çrregullimin e çmimit dhe do të duhet të ulnin akcizën që të mbanin çmimin e derivateve në nivel me të ulët”, deklaroi Qerimi.
Kujtojmë se tani me përfundimin e kësaj mase, çmimi i derivateve do të përcaktohet tashmë nga vetë tregu.






