Në pritje të lirimit të ish krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, me moton “Kosova po pret”, në qendër të Deçanit ka nisur numërimin mbrapsht “Ora e pritjes”.
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër“ dhe zyrtarët komunal të Deçanit janë shprehur të bindur në pafajësinë e tyre.
“Me numërua mbrapsht deri më 16 shtator edhe prej këtu sepse edhe Deçani po pret që me 16 shtator çlirimtarët me u kthy në shtëpi të vet, me u kthy në Kosovë. Deri më 16 kur duhet të nisin ditët e mira, ditët e bardha edhe njëherë me rikonfirmua që historia jonë më e re, që lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë legjitime e popullit të Kosovës për të ruajtur identitetin dhe vlerat që I ka ndërtuar ndër shekuj”, ka thënë Eliza Hoxha.
“Pres që me 16 të këtij muaji me u gëzu siç jemi gëzuar edhe në proceset tjera gjyqësore. Këta njerëz të këtij vendi kanë bërë përpjekjen më madhështore për lirinë e këtij vendi dhe luftën më të pastër që e ka bërë dikush ndonjëherë në botë. Ky vend e këta ushtarë të UÇK-së kanë arritur me e pas përkrahjen e superfuqisë botërore, SHBA -së”, ka thënë Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.







