Bardhyl Hasanpapaj, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit nga Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se janë shkelur të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Afatet kushtetuese janë shkelur dhe ky fakt po i dëmton proceset. Për këtë fakt i kanë fajet të gjitha partitë politike. Partitë me veprimet e tyre po veprojnë sikur të ishin brenda afateve kushtetuese. Detyrimi është që të ftohet seanca çdo 48 orë nga kryesuesi i kuvendit. Disa nga opozita po shkojnë në Kuvend derisa janë shkelur afatet”, ka thënë Bardhyl Hasanpapaj të premten në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Hasanpapaj vlerëson se institucionet duhet të formohen edhe në këtë kohë.
“Gjithsesi, institucionet duhet të formohen. Më mirë të formohen me defekte juridike se të kalojmë në cikle të reja elektorale”, vlerësoi profesori universitar, Bardhyl Hasanpapaj.
Të premten, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka caktuar për të mërkurën e ardhshme (9 shtator) vazhdimin e seancës konstituive për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Ky vazhdim mbahet përtej afatit kushtetues 30 ditësh prej certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e edhe përtej 30 ditësh prej kur u mbajt seanca e parë.
Kuvendi është mbledhur dy herë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rastin e parë deputetët janë betuar e pas kësaj në foltore Kurti ka kërkuar shtyrje për të negociuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, po që se konstituohej Kuvendi dhe formohej Qeveria pa marrëveshje për presidentin, zgjedhjet nuk do të shmangeshin.
Kurti negocioi vetëm me Lidhjen Demokratike. Me këtë parti ditë më parë u dakorduan për emrin e Bekim Sejdiut për kandidat për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan dhe numrat tani janë në rrezik.
Vetëvendosje me 53 deputetë të vet dhe me deputetët minoritarë joserbë e ka shumicën e thjeshtë për të formuar Qeverinë dhe konstituuar Kuvendin. Por për president duhen 80 deputetë të jenë në sallë në dy rundet e para.







