Dy marinarë u vranë në një incident sigurie që përfshiu një tanker saudite nafte ndërsa po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit më parë këtë javë, tha të mërkurën kompania kombëtare e transportit detar e Arabisë Saudite, Bahri.
Bahri tha në një deklaratë se tankeri i saj SIDR u përfshi në një “incident sigurie” rreth orës 23:40 sipas kohës lokale (20:40 GMT) të hënën, ndërsa po kalonte nëpër rrugën ujore strategjike.
“Dy nga detarët tanë, të dy shtetas filipinas, humbën jetën si pasojë e këtij incidenti”, tha kompania, citon Anadolu.
Ndaj incidentit ka reaguar Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë në rrjetet sociale, ku tha:
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh dënimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite për shënjestrimin e tankerit saudit (Sidr) nga Republika Islamike e Iranit, ndërsa ky i fundit po kalonte nëpër ngushticën e Hormuzit, dhe për viktimat që rezultuan në mesin e ekuipazhit të tankerit.”
Ministria tha se dënoi gjithashtu sulmet iraniane kundër Jordanisë, Bahreinit dhe Kuvajtit, ndërsa “pohoi solidaritetin e saj të plotë me vendet vëllazërore në masat që ato marrin për të mbrojtur sigurinë dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim”.










