Duart vendosur rreth qafës, me krenari e emocion, Bekim Morina nga Drenasi po i uron dy djemtë e tij, të cilët të premten u bënë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Dikur si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot krenarinë e tij po e përjeton në një mënyrë tjetër.
Dy djemtë që i rriti, tashmë do ta veshin uniformën e FSK-së dhe do t’i shërbejnë atdheut.
“Emocione të papërshkrueshme jam krenar për djemtë, dy djemtë i kam sot këtu që diplomuan”, deklaroi familjari Bekim Morina.
Morina tregon se kazermën ku sot i pa djemtë duke diplomuar, e njeh që nga koha e luftës.
“Në vitin 1999-2000 ma së pari kam hy me shokë këtu në kazermë, atëherë si ushtar i UÇK-së, pastaj i TMK-së, e kemi rregullu, e kemi rujtë, tash po më duket ma mirë”, theksoi Morina.
E për djemtë e tij, veshja e uniformës së FSK-së është realizim i një ëndrre dhe mundësi për t’i shërbyer vendit.
“Çdo herë ka qenë ëndërr me i shërby atdheut në mënyrën më fisnike”, tha Milazim Morina, rekrut.
Krenaria për vendin dhe gatishmëria për ta mbrojtur atë, janë ndjenjat që i shoqërojnë edhe rekrutët e tjerë.
Arbnor Ibriqi thotë se është i gatshëm që në çdo moment, të japë gjithçka për Kosovën.
“Që nga mosha e re kemi pasë ushtarë që nuk kanë përtu me dhanë jetën për vendin, gjithashtu edhe unë do të jem në çdo moment i gatshëm që as jetën time të mos e kursej duke shërbyer për vendin”, deklaroi Arbnor Ibriqi.
Por, përtej sfidave të përgatitjes ushtarake, kjo ditë për rekrutët ishte e mbushur edhe me emocione të veçanta.
“Ka qenë sfidë shumë e madhe për neve, ndjenjë shumë e papërshkrueshme. Ka qenë sfidë shumë e vështirë, mirëpo me bashkim e kemi arritë këtë ditë”, tha Ngadhënjim Aliu.
Për ta, uniforma që tashmë e bartin nuk është vetëm veshje ushtarake. Ajo përfaqëson përgjegjësi, krenari dhe një zotim ndaj vendit.
Kështu, e premtja shënoi një ditë të veçantë për 515 rekrutët e rinj, gjeneratën më të madhe që ka diplomuar deri më tani në Forcës e Sigurisë së Kosovës.



