Të dielën, i thirrën gazetarët në zyrë.
Aty, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dolën për të reaguar kundër kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ky i fundit i akuzoi VV-në një ditë më parë si fajtore për borxhin e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Deputeti i VV-së, Egzon Azemi tha se këto janë gënjeshtra të pacipa pasi vazhdimisht kanë kundërshtuar këtë proces.
“Dihet qartë që LVV-ja e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe NPB-ja është në rrezik. Është e vetmja LVV-ja që ka alarmuar për rrezikun që po i kanosej NPB-së”, tha Azemi.
Sipas tij, vazhdimisht janë bllokuar në Kuvendin Komunal nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca, sa kanë qenë në qeverisje të Prishtinës, me LVV-në.
“Për më shumë se katër vjet PDK-ja ka pasur rol vendimtar në NPB. Kronologjia është e qartë, LVV-ja e kundërshtoi këtë marrëveshje të dyshimtë. Edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë”, u shpreh Azemi.
Në vitin 2021, NPB-ja hyri në një marrëveshje bashkinvestimi me tri kompani private për zhvillimin e një projekti banesor dhe afarist në parcelat e NPB-së në Lakrishtë. Projekti parashihte ndërtimin e pesë objekteve, por nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në gjykatë.
E kjo ndërmarrje nga gjykata komerciale është e obliguar që tri kompanive t’u paguajë 32 milionë euro, në emër të fitimit të humbur.






