Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, është takuar me gjeneral brigade Chad Daniels, shef i Shtabit të KFOR-it, me të cilin ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Përmes një postimi në Facebook, Kingji ka bërë të ditur se gjatë takimit është theksuar rëndësia e misionit të KFOR-it në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe kontributi i Shqipërisë në këtë mision, në një kohë kur KFOR-i po vazhdon procesin e optimizimit të angazhimit të tij.
Po ashtu, palët kanë diskutuar për masat që lidhen me mbështetjen dhe lëvizshmërinë ushtarake, me synim ruajtjen e efektivitetit operacional të misionit të KFOR-it.







