Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka deklaruar se Shqipëria dhe Serbia mund të ndërtojnë marrëdhënie të mira ekonomike dhe fqinjësore, por ka theksuar se kjo nuk duhet të bëhet në dëm të Kosovës. Duke komentuar zhvillimet e fundit politike në Serbi, Kulla ka thënë se ndryshimet në udhëheqjen e vendit mund të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet rajonale.
Për këto zhvillime dhe ndikimin e tyre në raportet mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës, Kulla ka folur në emisionin “Matrix” në Tëvë1, të moderuar nga Mehmet Kalisi.
Sipas tij, Shqipëria dhe Serbia mund të zhvillojnë bashkëpunimin në ekonomi, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët, duke pasur parasysh se janë vende fqinje. Megjithatë, ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të shkëputet nga qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.
“Serbia nuk është vend armik për Shqipërinë dhe me Serbinë mund të kemi marrëdhënie të mira, marrëdhënie ekonomike shumë të mira. Mund ta rrisim numrin e turistëve, jemi vende fqinje, kemi fluturime direkte. Pra, me Serbinë duhet të hapim një kapitull tjetër, atë të marrëdhënieve mes fqinjëve”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka theksuar se për sa kohë Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe të mbajë qëndrime armiqësore ndaj saj, marrëdhëniet me Shqipërinë nuk mund të zhvillohen plotësisht sipas pritjeve.
“Për këtë gjë, Serbia nuk duhet as ta diskutojë e as ta hapë çështjen e Kosovës. Për aq kohë sa Serbia i shpall luftë Kosovës, nuk mund të ketë marrëdhënie të dëshiruara me Shqipërinë. Çdo marrëdhënie tjetër që shkon në dëm të Kosovës shkon edhe në dëm të Shqipërisë”, ka thënë ai.
Kulla ka vlerësuar gjithashtu se Shqipërisë i konvenon forcimi i bashkëpunimit me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vendet e tjera të rajonit, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes fqinjëve.
Duke folur për atë se çfarë e pret Kosovën pas ndryshimeve politike në Serbi, Kulla ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet ta paragjykojnë udhëheqjen e re, por duhet t’i japin mundësi për të dëshmuar në praktikë nëse do të ketë ndryshim në raportet mes dy vendeve.
Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë me programin e saj të mbrojtjes dhe me reformat politike e ekonomike, pavarësisht zhvillimeve në Beograd.
“Kosova nuk duhet ta paragjykojë ndryshimin, duhet t’i japë një shans. Por, sigurisht, Kosova duhet të vazhdojë programin e vet të mbrojtjes, reformat politike dhe ekonomike. Në fund të fundit, demokracia është garë dhe konkurrencë. Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më të mëdha janë mundësitë për të pasur rezultate të mira në negociatat me Serbinë”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka paralajmëruar se edhe një qeveri e re në Serbi mund të sjellë sfida të reja për Kosovën, prandaj ka vlerësuar se vendi duhet të vazhdojë të forcojë institucionet dhe kapacitetet e veta.




