Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndezur qirinj në objektin e Kryeqytetit në kujtim të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Ai ka shprehur solidaritet me familjen e viktimës dhe me të gjitha gratë që përballen me dhunën, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Përmes një postimi, Rama ka theksuar se kjo ngjarje tragjike rikthen vëmendjen te nevoja për mbrojtjen e grave dhe reagimin me kohë të institucioneve ndaj çdo thirrjeje për ndihmë.
“Mendimet dhe solidariteti ynë janë me familjen e saj dhe me çdo grua që përballet me frikën e dhunës”, ka shkruar Rama.
Ai ka nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të jetojë e pambrojtur dhe se institucionet duhet të reagojnë ndaj çdo paralajmërimi për rrezik.
“Asnjë grua nuk duhet të jetojë e pambrojtur, e asnjë thirrje për ndihmë nuk duhet të mbetet pa përgjigje”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.
Rama u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Arlinda Zekajt, duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të zbardhen të gjitha rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes. Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe përgjegjësi për çdo dështim që mund të kishte parandaluar këtë tragjedi”, ka përfunduar Rama.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta dhe thirrje për llogaridhënie, veçanërisht pasi viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të vritej.







