Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit të sotëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se, pas dakordimit për parimet mbi të cilat duhet të bazohet zgjedhja e presidentit të ardhshëm, palët kanë diskutuar edhe për emra konkretë.
Sipas tij, emrat e propozuar gjatë takimit janë, në masë të madhe, në përputhje me parimet e dakorduara më herët.
“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë emrat, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe, në këtë drejtim, lë të them se ky është një hap përpara”, ka theksuar ai pas takimit.
Megjithatë, kreu i LDK-së nuk ka bërë të ditur emrat e diskutuar, duke e cilësuar procesin si të ndjeshëm.
“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju lutem për mirëkuptim, nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Abdixhiku ka thënë se nuk dëshiron të japë detaje lidhur me numrin e emrave apo takimeve, duke theksuar se synimi kryesor është arritja e një marrëveshjeje që do t’i sigurojë stabilitet vendit.
Ai ka theksuar gjithashtu se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë e besueshme dhe e denjë për përgjegjësinë institucionale e shtetërore që bart posti i presidentit./teve1.info/




