Nepali po përballet me një situatë të rëndë pas përmbytjeve të menjëhershme që kanë përfshirë disa zona të vendit të mërkurën.
Lumi Bhotekoshi doli nga shtrati rreth orës 9 të mëngjesit, duke vërshuar me shpejtësi dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në fshatra, rrugë dhe projekte hidroelektrike.
Zyrtarët bëjnë të ditur se të paktën 75 persona kanë vdekur, ndërsa 384 të tjerë janë raportuar të zhdukur, shkruan AP.
Prej tyre, 291 thuhet të jenë turistë nga vende të ndryshme, mes tyre Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Malajzia.
Një nga zonat më të goditura është distrikti Nuwakot, ku ndërtesa shumëkatëshe, kamionë dhe automjete janë mbuluar nga balta dhe mbeturinat e sjella nga ujërat e rrëmbyeshëm.
Për shkak të situatës së rrezikshme, në disa pjesë të Nepalit janë anuluar edhe fluturimet, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë larg brigjeve të lumenjve Bhotekoshi, Trishuli dhe Narayani.
Rajoni i Himalajeve është veçanërisht i ekspozuar ndaj reshjeve intensive, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Hulumtimet tregojnë se ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit dhe shirat e rrëmbyeshëm, si dhe shkrirja e akullnajave, janë bërë më të shpeshta në rajon./teve1.info/











