Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmit ndaj aseteve ushtarake amerikane në Evropë nëse Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përshkallëzon luftën, ndërsa Teherani po shqyrton mundësitë për të zgjeruar konfliktin përtej Lindjes së Mesme, raportoi të mërkurën Financial Times.
Duke cituar dy persona pranë qeverisë iraniane, e përditshmja britanike tha se forcat iraniane kishin vlerësuar sulme të mundshme ndaj aseteve amerikane në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës së saj ajrore Bezmer nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Qiproja, ku një bazë ajrore britanike u godit nga një dron në mars, është konsideruar gjithashtu midis objektivave të mundshëm në rast të një ofensive të rinovuar amerikane, sipas njërit prej burimeve.
Forcat iraniane kanë shqyrtuar veçmas mundësinë e shënjestrimit të kabllove nënujore me fibra optike në Ngushticën e Hormuzit në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm, thuhet në raport.
Një burim i tha Financial Times se Teherani po përgatiste mundësi për të zgjeruar konfliktin nëse Trump do të vazhdonte me kërcënimet e mëparshme për të sulmuar infrastrukturën iraniane.
“Nëse SHBA-të shkojnë shumë larg, Irani do të mbrohet me çdo çmim, do të shkojë përtej rajonit dhe do të godasë edhe Evropën”, tha burimi.
Në përgjigjje të këtij raporti, një zyrtar i NATO-s i tha Reuters se aleanca është e përgatitur t’i përgjigjet çdo kërcënimi dhe “gjithmonë do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”.
“Siç u demonstrua më parë këtë vit, kur mbrojtja ajrore e NATO-s interceptoi me sukses raketa balistike që shkonin nga Irani drejt Turqisë në katër raste të ndara, parandalimi dhe qëndrimi ynë mbrojtës është i fortë dhe efektiv”, tha zyrtari.








