Tre raste të vdekjes dhe 352 shërbime janë shënuar në 24 orët e fundit në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas raportit të QKUK-së për shërbimet emergjente, numri më i madh i pacientëve që janë trajtuar brenda 24 orëve ka qenë në Emergjencën Internistike.
“Në raport me numrin e përgjithshëm të pacientëve të trajtuar, 86 raste janë menaxhuar në Reanimim, 92 në Emergjencën Internistike, 59 në Emergjencën Kirurgjike, ndërsa 83 pacientë kanë marrë trajtim në Emergjencën Ortopedike”, shkruhet në raport.
Në raport theksohet se 32 pacientë janë trajtuar në sallën e vogël, kryesisht për ndërhyrje si qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve, ndërsa 17 persona janë lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.
“Në kuadër të rasteve me lëndime dhe rasteve të veçanta, gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 1 rast i intoksikimit (helmimit) si dhe 17 persona të lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik”, theksohet në raport.
Po ashtu, theksohet se janë realizuar edhe 33 pranime për trajtim të mëtejshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së.







