TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Shqipëria dhe shqiptarët në botën anglo-amerikane

by tëvë1
2 orë ago
0
A A
Shqipëria dhe shqiptarët në botën anglo-amerikane

Shkruan: Eliot Karjagdiu

(Vështrim mbi librin “Marrëdhëniet kulturore dhe letrare shqiptaro-anglo-amerikane”, botoi ShB. Printing Press, fq.229, 2026)

Libri me titull Marrëdhëniet kulturore dhe letrare shqiptaro-anglo-amerikane dhe nëntitull Tema shqiptaro-anglo-amerikane që sapo ka parë dritën, përmbledh studime, trajtesa, vështrime dhe shkrime të Prof. Dr. Abdullah Karjagdiut mbi raportet historike, kulturore dhe letrare shqiptaro-angleze e shqiptaro-amerikane. Shkrimet janë bërë dhe ca prej tyre edhe janë botuar në periudha të ndryshme, por, të vendosura pranë njëra-tjetrës, krijojnë një gamë të gjerë intelektuale, profesionale dhe akademike të marrëdhënieve të shqiptarëve me botën anglo-amerikane. Prandaj, libri nuk duhet lexuar vetëm si një përmbledhje punimesh dhe shkrimesh. Ai mund të lexohet dhe kundrohet edhe si histori e një kërkimi shumëvjeçar të gjurmëve të shqiptarëve në kujtesën politike dhe kulturore amerikane e britanike dhe, njëkohësisht, i gjurmëve që letërsia, mendimi, kultura, historia, politika dhe diplomacia anglo-amerikane kanë lënë në gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë dhe kulturën shqiptare. Në këtë pikëtakim ndërmjet historisë, politikës dhe diplomacisë dhe letërsisë e kulturës qëndron edhe veçantia e tij.

Kur historia shqiptare takohet me idenë e madhe amerikane të lirisë

Kapitulli i parë i librit hap një horizont kryesisht historik, politik dhe kulturor. Në të trajtohen Revolucioni Amerikan, Deklarata e Pavarësisë, konceptet e lirisë dhe demokracisë, marrëdhëniet e hershme shqiptaro-amerikane, veprimtaria e shqiptarëve të Amerikës dhe përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Por Amerika, në këto shkrime, nuk është vetëm shtet apo superfuqi politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo shfaqet edhe si ide e lirisë, ide e vetëvendosjes dhe ide e së drejtës së një populli për të vendosur për fatin e vet. Pikërisht këto ide të mëdha dhe ky dimension e lidhin historinë amerikane me historinë shqiptare. Në shkrimet e përmbledhura në këtë libër për Revolucionin Amerikan dhe Deklaratën e Pavarësisë, Dr. Abdullah Karjagdiu interesohet për konceptet që qëndrojnë prapa ngjarjeve të mëdha historike dhe politike amerikane, si: sovraniteti i popullit, demokracia, të drejtat individuale, raporti ndërmjet qytetarit dhe pushtetit dhe bindja se qeverisja ekziston për të garantuar lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë mënyrë, një ngjarje e shekullit XVIII në Amerikën e madhërishme mund të lexohet nga perspektiva e një kulture dhe e një populli që gjatë historisë së vet ka kërkuar pikërisht lirinë, vetëvendosjen dhe njohjen ndërkombëtare. Dhe pikërisht këtu historia amerikane pushon së qeni një histori e largët. Ajo bëhet pjesë e një horizonti më të gjerë të mendimit politik shqiptar.


Nën dy flamuj: fillimet e një miqësie që do të bëhej histori

Me interes të veçantë janë shkrimet që rikthejnë vëmendjen te marrëdhëniet e hershme ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve. Kështu, shkrimet si Nën dy flamuj, Porosi të dashamirëve të paharruar, Pse VATRA kërkoi mandatin amerikan në Konferencën e Paqes më 1919?, Gjashtë arsyet se pse Amerika duhet të jetë mandatori i Shqipërisë dhe Eriksoni, një mik i madh i shqiptarëve dëshmojnë se lidhjet shqiptaro-amerikane kishin marrë formë shumë përpara zhvillimeve politike të fund shekullit XX. Në faqet e këtyre shkrimeve dalin në pah shqiptarët e Amerikës, veprimtarët e “Vatrës”, intelektualë, misionarë dhe miq amerikanë të Shqipërisë. Dokumentet dhe episodet historike të sjella në këtë libër nga Profesori i jonë i nderuar, Dr. Abdullah Karjagdiu, faktojnë se çështja shqiptare kishte hyrë në qarqe të caktuara politike, diplomatike, intelektuale dhe humanitare amerikane që në fillim të shekullit XX. Në këtë kontekst, veçanërisht domethënëse janë përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës lidhur me Konferencën e Paqes të vitit 1919. Kështu, libri risjellë në vëmendje veprimtarinë e Kostë Çekrezit, komunikimet me përfaqësues amerikanë dhe memorandumin e Telford Eriksonit me “gjashtë arsyet” në favor të një mandati amerikan mbi Shqipërinë. Përtej rezultatit konkret politik të këtyre përpjekjeve, këtu shfaqet një dukuri që do të mbetet shumë e rëndësishme në historinë moderne shqiptare: diaspora si urë ndërmjet çështjes kombëtare dhe opinionit ndërkombëtar. Së këndejmi, shkrimet e përmbledhura në këtë libër kanë edhe vlerë dokumentuese. Ato rikujtojnë se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane nuk janë krijuar brenda natës. Ato i kanë pasur pararendësit, miqtë, ndërmjetësuesit, idealistët dhe veprimtarët e tyre. Miqësitë ndërmjet popujve kanë gjithmonë një histori. Ndaj, ky libër, veç të tjerash, përpiqet që të mos lejojë që një pjesë e asaj historie të harrohet.

Konica dhe “Albania”: kultura në shërbim të diplomacisë kombëtare

Në kapitullin e dytë, libri zhvendoset nga historia politike drejt letërsisë, kritikës dhe përkthimit. Por, kufiri ndërmjet këtyre fushave nuk është i prerë. Për autorin e librit, kultura shpesh është edhe politikë në kuptimin më të lartë të fjalës apo, thënë më qartë dhe më troç, është përfaqësim i një kombi përpara botës. Se është kështu, libri i Dr. Abdullah Karjagdiut Me Konicën në Evropë dhe shkrimi i tij në këtë libër për kontributin e Faik Konicës dhe revistës Albania për çështjen kombëtare janë shembujt dhe dëshmitë më domethënëse. Konica shfaqet këtu si intelektuali që kuptoi herët se çështja shqiptare nuk mund të mbrohej vetëm me argumente politike. Shqipëria duhej t’i paraqitej Evropës përmes historisë, gjuhës, folklorit, letërsisë dhe kulturës së saj. Duke e vendosur revistën Albania në kontekstin dhe klimën evropiane të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, studiuesi i jonë i spikatur nënvizon lidhjen e projektit kulturor të Konicës me idetë e sovranitetit, të drejtave kombëtare dhe afirmimit kulturor. Kësisoji, revista nuk del thjesht si organ letrar apo publicistik. Ajo shndërrohet në ambasadë kulturore të një kombi ende pa shtetin e tij të konsoliduar. Dhe ky është një nga interpretimet më interesante që mund të nxirret nga kjo pjesë e veprës: kultura mund të jetë formë e diplomacisë shumë përpara se diplomacia të marrë trajtë institucionale.

Noli, njeriu që solli botën në gjuhën shqipe

Një nga figurat që zë vend qendror në horizontin studimor të Dr. Abdullah Karjagdiut është Fan S. Noli. Në themel të vëmedjes së këtyre shkrimeve janë kontributi sui-generis dhe i jashtëzakonshëm i Nolit si shkrimtar dhe përkthyes letrar. Dhe pikërisht në këtë rol Noli fiton një rëndësi të jashtëzakonshme kulturore. Me këtë rast, vlen të vihet në dukje se, Profesor Karjagdiu e trajton përkthimin jo si bartje mekanike të një teksti prej një gjuhe në tjetrën, por si akt krijues, kulturor dhe qytetërues. Përmes përkthimit, një kulturë hap dritare ndaj kulturave të tjera, gjuha sprovohet përpara strukturave të reja, letërsia kombëtare zgjeron format dhe horizontin e vet, ndërkaq Noli bëhet figura paradigmatike e këtij procesi. Në këto shkrime theksohet se përkthimet e tij të kryeveprave të letërsisë angleze dhe amerikane dhe botërore shërbyen jo vetëm për sjelljen e kryeveprave botërore në shqip, por edhe për pasurimin e letërsisë kombëtare dhe zgjerimin e horizonteve artistike, estetike dhe intelektuale të lexuesit shqiptar. Ky interpretim e vendos përkthyesin në një pozitë shumë më të rëndësishme nga ajo që i atribuohet zakonisht. Përkthyesi nuk është vetëm ndërmjetës ndërmjet dy gjuhëve. Ai mund të jetë modernizues i një gjuhe, letërsie dhe kulture. Në këtë kuptim, Noli i Dr. Karjagdiut është pikërisht i tillë: një figurë që, duke i përkthyer veprat dhe kreeveprat e letërsisë botërore, ndihmon edhe në transformimin, avancimin dhe modernizimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Shekspiri në shqip: shqipja përballë gjeniut

Një nga trajtesat më të rëndësishme të vëllimit i kushtohet historisë së përkthimit dhe receptimit të Shekspirit në gjuhën shqipe. Këtu përkthimi shfaqet si provë e jashtëzakonshme për çdo gjuhë dhe çdo përkthyes. Shekspiri nuk mund të përkthehet duke zëvendësuar fjalë me fjalë. Pentametri jambik, vargu i bardhë, metaforat, shumëkuptimësia, aluzionet biblike dhe mitologjike dhe regjistrat e ndryshëm stilistikë kërkojnë vendime të vazhdueshme kreative. Pikërisht këtu përkthimi bëhet interpretim dhe rikrijim. Përkthyesi duhet të zgjedhë çfarë mund të ruhet, çfarë duhet të rikrijohet dhe çfarë kërkon zgjidhje të re në sistemin e gjuhës shqipe. Historia e përkthimeve, prezencës dhe receptimit të Shekspiri në shqip është, prandaj, edhe historia e pjekurisë së vetë gjuhës dhe kulturës sonë letrare. Nga përkthimet e para dhe kushtet modeste të receptimit deri te krijimi i një tradite të mirëfilltë përkthimore, kjo histori dëshmon se hyrja e kryeveprave botërore në shqip nuk ishte vetëm proces i marrjes, receptimit dhe përvetësimit të vlerave të huaja, por ishte edhe proces i provimit dhe fuqizimit të potencialit të shqipes. Ndaj, në këtë pjesë të librit, historia e përkthimit shndërrohet natyrshëm në histori të kulturës.

Bajroni dhe shqiptarët: një magjepsje angleze me botën shqiptare

Nëse Shekspiri përfaqëson hyrjen e letërsisë angleze në kulturën shqiptare, Bajroni mishëron edhe lëvizjen e kundërt: hyrjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve në imagjinatën letrare angleze dhe evropiane. Për Profesor Dr. Abdullah Karjagdiun, Bajroni ka rëndësi të veçantë. Udhëtimi në viset shqiptare, takimi me Ali Pashë Tepelenën, përshkrimet e shqiptarëve, veshjeve dhe karakterit të tyre dhe jehona e këtyre përshkrimeve në kulturën angleze dhe evropiane krijojnë një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve kulturore shqiptaro-angleze. Por rëndësia e Bajronit nuk përfundon me udhëtimin e tij. Vepra e tij shndërrohet në pjesë domethënëse të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Vargjet dhe përfytyrimet e poetit romantik bëhen pjesë e kulturës shqiptare, e mendimit dhe idealeve të Rilindjes dhe e përfytyrimit që shqiptarët krijojnë edhe për vetveten. Në shkrimet dhe punimet e përfshira në libër vërehet se poezia e Bajronit pati ndikim të dukshëm në mendimin intelektual shqiptar dhe në formimin e një receptimi të veçantë të poetit gjatë periudhës së zgjimit kombëtar. Në këtë mënyrë krijohet një qark i jashtëzakonshëm kulturor: Shqipëria frymëzon Bajronin dhe njëkohësisht Bajroni frymëzon shqiptarët. Vështirë se mund të gjendet ilustrim më i bukur i idesë së komunikimit ndërkulturor që përshkon tërë librin. Me këtë rast, vlen të vihet në dukje se, Dr. Abdullah Karjagdiu është autor edhe i monografisë me titull Bajroni dhe shqiptarët, që është njëri ndër studimet më të thelluara, më voluminoze, më cilësore dhe më prestigjoze të shkruara ndonjëherë nga fusha e letërsisë angleze dhe e letërsisë së krahasuar.

Nga Shekspiri te Tenesi Uilliamsi, horizonti i një studiuesi pa kufij të ngushtë

Një nga cilësitë më të dukshme të kësaj vepre është gjerësia tematike. Krahas Nolit, Konicës, Bajronit dhe Shekspirit, aty gjenden shkrime për nobelistët e letërsisë, Tenesi Uilliamsin, fuqinë e leximit dhe interpretimin e poezisë. Vetë përmbajtja e librit dëshmon një kalim të natyrshëm ndërmjet historisë, kritikës letrare, përkthimit dhe interpretimit. Në shikim të parë, kjo larmi mund të duket heterogjene. Por, ajo ka një qendër të përbashkët. Kjo qendër është interesimi për mënyrën se si letërsia udhëton ndërmjet gjuhëve, kohëve dhe kulturave. Prandaj, libri nuk mëton të krijojë një uniformitet artificial. Forma e tij është në njëfarë mënyre edhe pasqyrë e vetë profilit të autorit: një profesor dhe studiues i letërsisë angleze dhe amerikane, i letërsisë së krahasuar dhe i përkthimit, por njëkohësisht intelektual i interesuar për historinë, kulturën dhe çështjen kombëtare. Kjo shpjegon pse në të njëjtën vepër mund të gjenden Revolucioni Amerikan dhe Shekspiri, “Vatra” dhe Bajroni, Konica dhe teoria e përkthimit. Sipas gjykimit të Dr. Karjagdiut, këto fusha nuk janë të shkëputura. Ato komunikojnë dhe janë ngushtësisht të ndërvarura dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën.

Abdullah Karjagdiu, studiues që bëhet vetë pjesë e historisë së studimeve

Kapitulli tretë i librit sjell një ndryshim domethënës perspektive. Deri te ky kapitull, Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu është studiuesi që analizon autorë, vepra, periudha dhe marrëdhënie kulturore, letrare, historike dhe politke. Ndërkaq, në kapitullin e fundit, vetë studiuesi dhe vepra e tij bëhen objekt shqyrtimi dhe vlerësimi. Aty përfshihen shkrime dhe recensione mbi disa nga veprat e tij, ndër to Me Konicën në Evropë, Bajroni dhe shqiptarët, Noli, përkthyes letrar dhe poliglot, etj. Përzgjedhja tregon se krijimtaria e tij është lexuar dhe vlerësuar në lidhje me studimet koniciane, bajroniane, shekspiriane, përkthimologjike dhe krahasimtare. Kjo pjesë i jep librit edhe një dimension tjetër. Ajo nuk dokumenton vetëm çështjet që Dr. Karjagdiu i ka studiuar, por në njëfare mënyre dokumenton edhe receptimin e vetë punës së tij shkencore. Kështu mbyllet një rreth interesant: studiuesi që për dekada është marrë me shkrime, studime, përkthime letrare dhe me letërsinë dhe kulturën angleze, amerikane dhe shqiptare bëhet vetë pjesë e kujtesës kritike të kulturës shqiptare.

Kultura shqiptare: një histori komunikimi me botën

Ndoshta çështja më e rëndësishme që trajtohet dhe sqarohet në këtë vepër është se si duhet kuptuar kultura shqiptare në raport me botën. Historia jonë kulturore nuk është histori izolimi. Shqiptarët kanë komunikuar me botën përmes udhëtarëve dhe shkrimtarëve, përkthyesve dhe mërgimtarëve, revistave dhe librave, profesorëve dhe diplomatëve. Kanë marrë prej kulturave të tjera, por njëkohësisht kanë hyrë edhe vetë në imagjinatën dhe kujtesën e tyre dhe janë bërë pjesë e tyre. Bajroni shkroi për shqiptarët. Noli solli Shekspirin, Poen dhe Longfelloin në shqip. Konica e paraqiti çështjen dhe kulturën shqiptare përpara Evropës. Shqiptarët e Amerikës përdorën hapësirën publike dhe politike amerikane për ta bërë të njohur çështjen e atdheut të tyre. Këto nuk janë episode të shkëputura. Janë pjesë të së njëjtës histori: historisë së daljes së letërsisë dhe kulturës shqiptare përtej kufijve të saj dhe të hyrjes së botës në kulturën shqiptare. Kështu që, libri mund të lexohet edhe si një panoramë e gjerë e kontakteve, shkëmbimeve dhe ndërveprimeve kulturore shqiptaro-anglo-amerikane.

Kur vepra e mposhtë harresën

Në të vërtetë, libri i Prof. Dr. Abdullah Karjagdiut e tejkalon funksionin e një përmbledhjeje studimesh dhe shkrimesh. Ai bëhet dëshmi e një historie komunikimi, kujtesë e një bote intelektuale dhe trashëgimi që kërkon t’u përcillet brezave të ardhshëm. Është dëshmi sepse rikthen njerëz, ngjarje, tekste, përkthime dhe ide përmes të cilave janë ndërtuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe botës anglo-amerikane. Është kujtesë sepse mbledh në një tërësi materiale që, të botuara dhe të shpërndara në të përkohshme dhe të përhershme gjatë periudhave të ndryshme, do të rrezikonin të mbeteshin jashtë vëmendjes së lexuesit të sotëm. Dhe është trashëgimi sepse dëshmon se puna intelektuale nuk përfundon me kohën biologjike të autorit. Ajo vazhdon sa herë një libër rilexohet, një ide rizbulohet, një dokument rikthehet në qarkullim dhe një brez i ri hyn në dialog me mendimin e brezave që e kanë paraprirë. Ai nuk e trajton të kaluarën si muze, por e rikthen atë në komunikim me të tashmen. Dhe, duke vepruar kësisoji, e shpëton një pjesë të saj nga harresa.

Letërsia dhe kultura si ura të përhershme bashkëpunimit

Prandaj, Marrëdhëniet kulturore dhe letrare shqiptaro-anglo-amerikane nuk është libër vetëm për studiuesit e letërsisë angleze dhe amerikane. Ai u drejtohet edhe dashamirëve të letërsisë dhe kulturës angleze dhe amerikane, historianëve, përkthyesve, albanologëve, studiuesve të letërsisë së krahasuar, studentëve dhe të gjithë atyre që interesohen për historinë intelektuale dhe kulturore shqiptare. Kjo ngaqë tema e tij, në fund të fundit, është shumë më e gjerë se marrëdhënia ndërmjet disa vendeve. Tema e vërtetë e tij është takimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve me Amerikën, takimi i shqiptarëve me botën britanike, takimi i Bajronit me Shqipërinë dhe shqiptarët, takimi i Shekspirit me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, takimi i Nolit me kryeveprat e letërsisë botërore, takimi i Konicës me Evropën. Dhe, mbi të gjitha, takimi i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare me gjuhën, letërsinë dhe kulturën anglo- amerikane dhe botërore. Kjo është edhe një nga porositë më të bukura që mund të nxirret nga vepra e studiuesit dhe Profesorit par-excellence dhe sui-generis, Dr. Abdullah Karjagdiu: politika mund t’i afrojë popujt në një çast të historisë, por letërsia dhe kultura mund t’i mbajë ata në dialog dhe t’i afrojë përherë. Ndaj dhe për sa kohë këto marrëdhënie dhe ura midis popujve kultivohen, kujtohen dhe rindërtohen nga brezat që vijnë, ato nuk harrohen dhe nuk i përkasin vetëm së kaluarës por, duke u thelluar, zgjeruar dhe begatuar, ato shkojnë drejt një të ardhmeje më të mirë, më progresive dhe më të ndritur.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Zgjidhet më e bukura e Bjeshkëve

Zgjidhet më e bukura e Bjeshkëve

Kurti: Etno Festi vazhdon ta bëjë Kukajn një vendtakim të artit

Kurti: Etno Festi vazhdon ta bëjë Kukajn një vendtakim të artit

Haxhiu në hapjen e EtnoFest-it: Festivali është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Haxhiu në hapjen e EtnoFest-it: Festivali është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Dua Lipa reagon nga Prishtina: Katy Perry na çoi në hënë dhe Seth Troxler na mbajti atje

Dua Lipa reagon nga Prishtina: Katy Perry na çoi në hënë dhe Seth Troxler na mbajti atje

I dha fund konfliktit në RMV, 25 vjet nga marrëveshja kornizë e Ohrit

I dha fund konfliktit në RMV, 25 vjet nga marrëveshja kornizë e Ohrit

“Po mbajnë nga dy pozita” Gani Geci dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit, Haxhiut e ministrave në detyrë

“Po mbajnë nga dy pozita” Gani Geci dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit, Haxhiut e ministrave në detyrë

Mërgimtarët në Kuvend, i shohin nga afër deputetët teksa “shqyejnë” njëri-tjetrin

Mërgimtarët në Kuvend, i shohin nga afër deputetët teksa “shqyejnë” njëri-tjetrin

Përplasje fizike, gjuajtje me letra e më ujë – çka ndodhi në Kuvend

Përplasje fizike, gjuajtje me letra e më ujë – çka ndodhi në Kuvend

NATO: KFOR-i po përshtat praninë në Kosovë në bazë të situatës së sigurisë

NATO: KFOR-i po përshtat praninë në Kosovë në bazë të situatës së sigurisë

Konjufca: Faktori shqiptar, i rëndësishëm për Malin e Zi

Konjufca: Faktori shqiptar, i rëndësishëm për Malin e Zi

Hoti: Veprimet e sotme të opozitës në Kuvend, kopje e dobët e aksioneve të dikurshme të VV-së

Hoti: Veprimet e sotme të opozitës në Kuvend, kopje e dobët e aksioneve të dikurshme të VV-së

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën