Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i përsëritur ftesën për takim dhe ofertën për rokadë mes pozitës së kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, në këmbim të pjesëmarrjes së PDK-së në votimin për presidentin e ri.
Në letrën e datës 7 gusht, Kurti ka thënë se nuk e kupton pse të mos takohet me Hamzën dhe të diskutojnë për çështjet që lidhen me institucionet dhe interesin e qytetarëve.
“Ju faleminderit për përgjigjen e sotme. Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg”, thuhet në letrën e Kurtit.
Ai ka thënë se e respekton pozicionin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhen bashkë.
“E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria të cilës iu betuam si deputetë të rinj dje”, ka shkruar Kurti.
Duke iu referuar deklarimit të PDK-së se do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit, Kurti ka thënë se kontributi i kësaj partie në këtë pikë është propozimi i emrit për nënkryetar, ndërsa sipas tij, kontribut real mund të jepet në zgjedhjen e presidentit.
“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të parakohshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, thuhet në letër.
Kurti më pas i ka përsëritur Hamzës ofertën për rokadë mes pozitës së nënkryetarit të Kuvendit që i takon PDK-së dhe pozitës së kryetarit të Kuvendit.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai ka lënë të hapur mundësinë për takim me Hamzën.
“Kurdo që mendoni se mund të takohemi, më lajmëroni menjëherë”, thuhet në letër.
Hamza sot, në përgjigjen drejtuar Kurtit, ka ritheksuar se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.








