Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për kohë të pacaktuar, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e konsultimeve politike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët i ka falënderuar për gatishmërinë për dialog.
Ai ka bërë të ditur se partia e tij mbetet e hapur për bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën ndonëse, sipas tij, këto dy subjekte deri më tani kanë refuzuar të marrin pjesë në një proces të tillë.
Kurti ka shtuar se nevojitet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike me LDK-në, e cila, sipas tij, do të mundësonte formimin e plotë të institucioneve të vendit.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit kërkon një konsensus sa më të gjerë politik, në përputhje me frymën kushtetuese dhe nevojën për stabilitet institucional.
“Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet pajtueshmëri sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi i kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka deklaruar Kurti.
Pas kësaj kërkese, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se, meqenëse partia fituese nuk paraqiti propozim për kryetar të Kuvendit, seanca konstituive shtyhet për kohë të pacaktuar.
“Meqë nuk ka propozim për kryetar të Kuvendit nga partia fituese, detyrohem ta ndërpres seancën”, ka thënë Dehari, duke shtuar se për vazhdimin e saj kryesia e Kuvendit do të njoftojë me kohë.
Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër./teve1.info/







