Kjo e mërkurë e gjeti në objektin e Prokurorisë Speciale.
Për afër tre orë, ish ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, u intervistua në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Detaje dhanë nga Prokuroria.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A. është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Për shkak të fazës së procedurës, nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka njoftuar Prokuroria.
Me të përfunduar, Aliu u prononcua para gazetarëve.
Ish-ministri u shpreh i lehtësuar, që siç tha ai, pati mundësinë të sqarohej.
“Është lehtësi që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me e marrë dhe me e sqaru situatën para Prokurorisë për të gjitha sulmet dhe pretendimet ndaj meje, të cilat kanë degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje. Pata mundësi me e sqaru për gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepruar në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit”, u shpreh Aliu.
Disa fjalë i tha edhe avokati i tij, Artan Qerkini.
“Zoti Aliu i është përgjigj ftesës së prokurorisë pa asnjë hezitim. I ka dhënë të gjitha shpjegimet për funksionin e tij si ministër, të gjitha përgjegjësitë që i ka pas në lidhje me pretendimet e prokurorisë, dhe mendoj se ka kontribu në mënyrë substanciale që kjo çështje të zbardhet”, u shpreh ai.
Para dy vjetësh, Aliu ishte deklaruar i gatshëm të bashkëpunoj me drejtësinë pas raportimeve për hetim në rastin e ambalazhuesve.






