Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi treorësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar marrëveshje politike.
Kurti tha se në takim, ku morën pjesë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe ish-presidentja Vjosa Osmani, janë diskutuar zhvillimet aktuale politike, situata institucionale dhe mundësitë për bashkëpunim mes dy subjekteve.
Ai theksoi se ekziston vullnet për të punuar së bashku, duke e cilësuar këtë si një sinjal pozitiv për vendin.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka shumë vullnet dhe zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona dhe besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Kurti.
Kurti tha se takimet mes partive politike duhet të jenë pjesë normale e komunikimit politik.
“Nuk mund të themi që takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë. Është normale që ato të ndodhin. Pavarësisht a jemi në opozitë apo në qeverisje, ne duhet të takohemi, të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë për ato çështje për të cilat pajtohemi”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje, Kurti konfirmoi se ajo ende nuk është arritur.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme dhe për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor në kontribut për stabilitet institucional”, tha Kurti.
Ai paralajmëroi se, në mungesë të një dakordimi, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje dhe hapa përpara, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por koha është shkurtuar dhe duhet të jemi të përgatitur edhe për fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së XI”, tha Kurti.







