Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Vendimi u miratua në seancën e sotme të Qeverisë dhe hyn në fuqi më 1 gusht 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, masa është ndërmarrë për të siguruar reagim të shpejtë, të koordinuar dhe efikas ndaj situatës në terren, si dhe për të mobilizuar të gjitha kapacitetet institucionale në mbrojtje të jetës së qytetarëve, pronës së tyre dhe burimeve natyrore.
Me vendimin e miratuar aktivizohet edhe Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhimin e Krizave, i cili do të jetë në funksion të përhershëm. Brenda 24 orëve, Shtabi duhet të përgatisë një plan veprimi për parandalimin dhe përballimin e zjarreve, të bëjë një vlerësim të burimeve njerëzore dhe teknike në dispozicion, si dhe të hartojë një plan për koordinimin e aktiviteteve të të gjitha institucioneve kompetente.
Qeveria njëkohësisht ka obliguar të gjitha organet e administratës shtetërore që të veprojnë në përputhje me dispozitat për menaxhimin e krizave dhe të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre, me qëllim garantimin e një reagimi sa më të shpejtë dhe efikas në terren.
Nga ekzekutivi theksojnë se shpallja e gjendjes së krizës dëshmon përkushtimin e institucioneve për të vepruar në mënyrë proaktive, me mobilizim të plotë dhe përgjegjësi të lartë në mbrojtjen e qytetarëve, mjedisit jetësor dhe pasurive natyrore të vendit./tvshenja/







