Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Dukagjini nuk ka aspak mision të lehtë para vetes në kuadër të garave evropiane.
Dukagjini, javën e shkuar nisi garimin në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe në ndeshjen e parë të raundit të dytë, u mposht 1:0 nga Lugano në Zvicër.
Tani, ekipi nga Klina e pret Luganon në Prishtinë në ndeshjen e kthimit, në të cilën synon përmbysjen e madhe dhe kalimin në raundin tjetër.
Dueli i dytë mes Dukagjinit dhe Luganos, luhet të mërkurën nga ora 16:30 në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali.
Pritet një ndeshje interesante, e sidomos angazhim i madh i futbollistëve të Dukagjinit që kërkojnë eliminimin e një ekipi të njohur si Lugano.
Një ditë pas Dukagjinit, saktësisht të enjten mbrëma, ndeshjet e kthimit në kuadër të këtij raundi kualifikues të Ligës së Konferencës, do t’i luajnë edhe Ballkani e Malisheva.
Ballkani prej orës 20:00 përballet në Prishtinë me Bohemiansin kurse Malisheva nga ora 21:00 luan në Skoci ndaj Hibernianit.
Ballkani ka pësuar 2:1 javën e shkuar në ndeshjen e parë, ndërsa Malisheva ka fituar me shifrat 2:0.









