Një tërmet me magnitudë prej 7.1 ballë ka goditur Kumamoton në ishullin kryesor jugor të Japonisë, Kyushu, ndërsa është lëshuar edhe një paralajmërim për cunami, deklaron Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Agjencia tha se paralajmërimi për cunami ishte për Gjirin Ariake aty pranë në brigjet perëndimore të Kumamotos, rreth 900 kilometra në jugperëndim të Tokios, transmeton AP.
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, në një mesazh të postuar në X, u bëri thirrje banorëve të shmangin vijën bregdetare ku parashikohej një cunami deri në 1 metër (3 këmbë).
Ajo tha se qeveria e saj ka ngritur një grup pune për të mbledhur informacion, për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për t’u përgatitur për operacione shpëtimi nëse është e nevojshme.
“Po e vendosim jetën e njerëzve si përparësi kryesore”, tha Takaichi, duke u bërë thirrje banorëve në zonat e lëkundura fort të tregojnë kujdes në dritën e lëkundjeve të mundshme të forta pasuese.
Agjencia japoneze për Menaxhimin e Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive tha se nuk kishte raportime për dëme në objektet dhe infrastrukturën kryesore publike në rajon, megjithëse autoritetet ende po vlerësonin shkallën e dëmeve nga tërmeti.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së fillimisht tha se tërmeti kishte një magnitudë prej 7.1 ballë, duke e ndryshuar më vonë atë në 6.8.
Kumamoto u godit nga një tërmet vdekjeprurës në vitin 2016 që la më shumë se 50 të vdekur, 1,800 të plagosur dhe dhjetëra mijëra shtëpi të dëmtuara ose të shkatërruara.











