Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, pasi në Bruksel do të mbahet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave.
Delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencën ku do të mbyllen Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Këto fusha konsiderohen të harmonizuara plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas agjendës zyrtare, Konferenca e IX Ndërqeveritare do të nisë në orën 19:00, ndërsa një orë më vonë është paraparë konferenca për media, ku do të prezantohet ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, e cilësoi ditën e sotme si një ditë të rëndësishme për procesin e zgjerimit.
“Një e martë super për zgjerimin na pret. Të martën do të kryesoj më shumë konferenca pranimi brenda një dite që nga viti 2002”, ka deklaruar Byrne.
Mbyllja e këtyre tre kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi një nga fazat kyçe të negociatave, atë të përmbushjes së piketave të ndërmjetme (IBAR), proces që u shoqërua me diskutime dhe polemika lidhur me përmbushjen e kritereve.
Pas këtij zhvillimi, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet për mbylljen edhe të 30 kapitujve të tjerë negociues, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027, në përputhje me objektivin e dakorduar me Bashkimin Evropian.
Përfundimi i negociatave teknike nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin, pasi vendimi final është politik dhe kërkon miratimin nga parlamentet e të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, edhe Mali i Zi, që konsiderohet vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit, pritet të mbyllë sot edhe dy kapituj të tjerë negociues – Kapitullin 8 për Konkurrencën dhe Kapitullin 29 për Bashkimin Doganor. Me këtë, numri i kapitujve të mbyllur nga Mali i Zi do të arrijë në 18 nga gjithsej 33 që janë në negociata.
Nga ana tjetër, Serbia kishte planifikuar hapjen e grup-kapitullit 3 të negociatave, në përputhje me kërkesën e Beogradit dhe rekomandimin e Komisionit Evropian, por kjo nuk u mbështet nga më shumë se tetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.










