Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të miturit të dyshuar për vrasje në tentativë, sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt dhe pas shqyrtimit të provave në dispozicion.
I mituri dyshohet se më 10 korrik 2026, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj, afër Postës Kryesore, i maskuar dhe i veshur me rroba ushtarake, ka sulmuar me thikë dy persona, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sipas dyshimeve të ngritura, pas sulmit i mituri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Më pas, sipas gjykatës, i dyshuari është lokalizuar në një fshat të Komunës së Ferizajt, ku gjatë përpjekjes së policisë për ta arrestuar dhe për t’i marrë thikën, ka rezistuar dhe ka sulmuar zyrtarët policorë, duke shkaktuar lëndime edhe ndaj tyre.
Gjykata ka bërë të ditur se ndaj të miturit ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale: vrasje në tentativë, sulm ndaj personit zyrtar dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe të miturit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ankesa ndaj këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij./teve1.info/




