Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, gjeopolitikës dhe sigurisë, Ilir Kulla, ka vlerësuar se hapja e një ambasade të Kosovës në Damask dhe e një ambasade të Shqipërisë në Oman do të ishte e domosdoshme për forcimin e diplomacisë shqiptare.
Sipas Kullës, një hap i tillë do të ndihmonte në zhvillimin e diplomacisë kulturore dhe historike të shqiptarëve në rajon, duke zgjeruar praninë shtetërore në Lindjen e Mesme.
“Unë mendoj se hapja e një ambasade të Shqipërisë në Oman dhe e një ambasade të Kosovës në Damask do të ishte e domosdoshme. Kjo do të forconte rolin e diplomacisë kulturore dhe historike të të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka deklaruar Kulla në emisionin “Matrix” në Tëvë1.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe shqiptarët e Irakut, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit të tyre përmes një pranie më të madhe diplomatike.
“Duhet të kemi parasysh edhe shqiptarët e Irakut, veçanërisht ata në veri të vendit, si dhe familjet e vjetra shqiptare në Erbil dhe Mosul. Edhe pse numri i tyre është i vogël, ruajtja e gjuhës shqipe në këto vende nuk mund të mbështetet vetëm te një institut i diasporës. Ajo kërkon vëmendje dhe prani shtetërore. Tashmë që kemi dy shtete shqiptare, kjo është diçka që mund të koordinohet në mënyrë shumë elegante nga të dyja diplomacitë”, ka thënë Kulla.
I pyetur për mungesën e këtyre ambasadave, Kulla ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e prioriteteve të mëparshme politike, sfidave ekonomike pas viteve ’90 dhe ndryshimeve globale, por sipas tij “tani është momenti i rizgjimit diplomatik”./teve1.info/








