Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër zyrtarëve komunalë dhe dy pronarëve të operatorëve ekonomikë, të dyshuar për keqpërdorime në prokurime publike që kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.
Sipas aktakuzës, katër zyrtarët komunalë akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa dy përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Prokuroria pretendon se dy prej zyrtarëve kanë miratuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro për punime në rrugët lokale në fshatin Javor, ndonëse njëra nga rrugët nuk ishte ndërtuar fare.
Me këtë, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 9,050 eurosh, ndërsa Komuna e Suharekës ka pësuar dëm material.
“Të pandehurit D.M., dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim apo çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare dhe gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Prokurim Publik, duke aprovuar realizimin e punimeve dhe lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.
Në një rast tjetër, dy zyrtarë të tjerë akuzohen se kanë aprovuar pagesa prej 17,124.10 eurosh për projekte rrugore në Javor dhe Luzhnicë, megjithëse dy nga rrugët nuk ishin ndërtuar.
Sipas aktakuzës, operatori ekonomik ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 6,439.82 euro.
“Të pandehurit E.SH. dhe I.H., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, lidhur me projektin për ndërtimin e rrugëve lokale “Hafir Gashi”, “25 Gushti” në fshatin Javor dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro, edhe pse ishin në dijeni se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material”, theksohet në njoftim.
Ndërkohë, dy përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë akuzohen se kanë paraqitur dokumentacion të rremë, duke pretenduar se punimet ishin përfunduar sipas kontratave, edhe pse ato nuk ishin realizuar plotësisht, me ç’rast kanë përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme.
“Ndërkaq, të pandehurit XH.K. dhe A.S., në cilësinë e personave përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik, ndërsa kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar në tërësi, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës”, bëhet e ditur në njoftim.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, është kërkuar edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik si dënim plotësues për të akuzuarit./teve1.info/




