Policia e Tiranës ka arrestuar një 51-vjeçar, pasi në magazinën që administronte u gjetën afro 2000 fishekzjarre.
Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari me inicialet D. K. nuk kishte licencë për shitjen e tyre. Ai nuk posedonte as dokumente shoqëruese për blerjen e mallrave, të cilat u sekuestruan.
Policia dyshon se 51-vjeçari u ka shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, të përfshirë në veprime të dhunshme gjatë tubimit të 24 tetorit.
Një ditë më parë, Policia e Tiranës kishte sekuestruar edhe 47 pako me fishekzjarre në një banesë në rrugën “Zela”. Sipas njoftimit, ato shiteshin për qëllime të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./teve1.info/









