Katër persona kanë mbetur të plagosur pas një incidenti me armë zjarri që ndodhi të enjten pasdite në qendër të Podujevës.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë persona të shtrirë në tokë në qendër të qytetit. Sipas pamjeve, fillimisht personat e përfshirë janë fjalosur, ndërsa më pas situata ka eskaluar me përdorimin e armëve të zjarrit.
Policia fillimisht raportoi për tre të plagosur, por më vonë konfirmoi se numri i të lënduarve ka shkuar në katër.
Sipas autoriteteve, tre prej të plagosurve kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident dhe janë familjarë mes vete, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit.
Nënkoloneli në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, tha se kalimtari ka pësuar vetëm lëndime të lehta.
“Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore”, deklaroi Shabani.
Ai bëri të ditur se motivi i ngjarjes ende nuk është zbardhur dhe se hetimet janë duke vazhduar.
“Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe organet kompetente po mbledhin informacione për të sqaruar rrethanat dhe arsyet e incidentit”, tha ai.
Shabani sqaroi edhe praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes.
“Zyrtari policor që ishte i veshur me rroba civile është hetues i Stacionit Policor në Podujevë. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndikuar që situata të mos përshkallëzohej edhe më tej”, u shpreh Shabani.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se hetimet e para tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për dajë dhe nip. Sipas Prokurorisë, motivi i dyshuar i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
Personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.
Katër të plagosurit vazhdojnë të trajtohen në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se gjendja e tyre është e rëndë, por stabile.




