Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, vlerëson se artikulli i publikuar nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung nuk mund të shërbejë si argument për të mbyllur debatin rreth rastit të njohur si “Sarajeva Safari”, duke theksuar se zbardhja e së vërtetës i takon organeve të drejtësisë dhe jo mediave.
Sipas tij, edhe pse gazetari Michael Martens ka të drejtë kur flet për standardet e gazetarisë hulumtuese, çështja nuk mund të reduktohet në dëshminë e një libri apo dokumentari.
Kjo, pasi Martens ka bërë me dije se është në përgatitje të një artikulli që dëshmon se disa libra e filma për gjahun e pasanikëve perëndimor mbi civilët boshnjak, janë të pabazuar në dëshmi bindëse. Madje, gazetari gjerman shpreh shqetësimin se me zmadhimin e paargumetuar të këtij fenomeni, po krijohet përshtypja se nuk ishi ushtarët serbë ata që vranë civilët, por vetëm turistët e huaj.
Fetoshi, ndërkaq, insiston se edhe vet gazetari Martens e citon reporterin e të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi, Tim Judah, i cili nuk e përjashton mundësinë që të ketë ndodhur “Sarajeva Safari”.
“E vërtetë, interesante, ndonëse në Frankfurter dhe gazetari Martens kanë të drejtë për standardet e larta të gazetarisë hulumtuese, por çështja e ‘Sarajeva Safari’ nuk mund të reduktohet në cilësinë dhe dëshmitë e një filmi ose të një libri. Artikulli i FAZ-it s’mund të përdoret si argument për ta mbyllur çështjen, siç tentoi Vuçiqi ta interpretojë atë, sepse e vërteta për gjuetinë e Sarajevës është punë e hetimeve penale që po zhvillohen nga Prokuroria e Milanos dhe në bashkëpunim me disa shtete të tjera evropiane siç është bërë e ditur. Pra ajo s’është çështje e gazetarëve dhe fushata në mediat gjermane pas artikullit të FAZ është një ndërhyrje në proces që keqpërdoret si zakonisht nga Serbia. E dyta që mendoj që është me rëndësi, është se krimet nuk maten me numra, dhe Martens e citon gazetarin e njohur Tim Judah, pra reporterin e të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi, i cili nuk e përjashton mundësinë që të ketë ndodhur ‘Sarajeva Safari’”.
Tutje, Fetoshi tha se nëse provohet qoftë edhe vetëm një rast se dikush ka paguar për të vrarë civilë, atëherë kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë juridik dhe moral, teksa tha se pamjet që edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishte pjesëmarrës në “Sarajeva Safari” duken mjaftë bindëse, është tepër e vështirë të provohet përfshirja e tij në këtë ngjarje.
“’Gjuetia e njerëzve’ nuk bëhet më pak mizore nëse një gazetar zbulon se nuk ka qenë fenomen masiv. Ajo që ka ndodhur në luftën e Bosnjës dhe rrethimin e Sarajevës është e tmerrshme, është raportuar gjerësisht dhe mbi këtë bazë, duke pasur parasysh kompleksitetin e të provuarit të një krimi të tillë të paparë, është e vështirë, pra prandaj kemi zgjatje të hetimeve sepse është tepër e vështirë që të provohet vepra dhe të provohet përfshirja edhe e Aleksandar Vuçiqit atje, ndonëse pamjet duken mjaft bindëse dhe dëshmitë duken mjaft realiste nëse kemi parasysh krimet që kanë ndodhur dhe të raportuara gjerësisht edhe gjatë kohës së luftës në Bosnje edhe nga hulumtimet e mëvonshme.
“Sarajeva Safari” pretendohet të ketë ndodhur gjatë rrethimit të Sarajevës në mes viteve 1992-1996, ku thuhet se turistëve të huaj u ishte mundësuar gjuetia në njerëz në këmbim të pagesave. Pretendimet për këtë ngjarje morën vëmendjen e publikur ndërkombëtar në vitin 2022 në premierën e filmit dokumentar slloven “Sarajeva Safari” me regji Miran Zupaniq dhe bashkëprodhuhar nga Al Jazeera Balkans. Poashtu, për këtë veprimtari kriminale, u shkruan edhe disa libra, për të cilët Martens, ka shumë vërejtje, poashtu.
Në lidhje me këto pretendime, Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës nisi një hetim në nëntor të vitit 2022, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, hetim për të njëjtën ngjarje nisi edhe Prokuroria e Milanos në Itali, pasi supozohet se në “Sarajeva Safari” morën pjesë edhe qytetarë italianë.








