Erdhën si zakonisht ta falin namazin e xhumasë.
Por këtë të premte, në këtë xhami në “Lagjen e Spitalit” në kryeqytet aty të pranishëm ishin edhe ekipi i Tranfuzionit të Gjakut.
Gjithçka u bë gati për grumbullimin e gjakut për njerëzit në nevojë.
Kjo pasi këto ditë po shënohet edhe Java ndërkombëtare e dhurimit të gjakut.
E interesimi për këtë procedurë ishte goxha i lartë.
Ky organizim u mirëprit nga qytetarët, të cilët thonë se janë të gatshëm t’u dalin në ndihmë të tjerëve sa herë që ka kërkesa.
“Kjo është një shenjë e mirë e humanizimit për Zotin, humanizëm për qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për gjakun tonë, kështu që jemi të gatshëm që çdo herë që ka nevojë me kontribu në këtë drejtim. Unë e shoh diçka shumë të mirë dhe shumë diçka humanitare”, tha Muhamet Gashi.
“Kjo nismë duket shumë me vend edhe masi veç po e dijmë që shpëtojmë jetë besoj që e ka një rëndësi shumë të veçantë…secili sado pak që jep gjak për dikë tjetër është shumë dhe me të vërtetë iu kisha bë thirrje të gjithëve”, tha dhuruesi i gjakut, Valmir Rrahmani.
Edhe imami i kësaj xhamie në kryeqytet shprehet i lumtur me qytetarët që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për dhurim gjaku.
“Tashmë njerëzit janë të vetdijësum dhe po e kuptojnë se çka është me dhënë gjakun, çka është vlera e saj, sa po mundesh ti me shpëtu dikënd që ka nevojë për të, dhe normal pjesëmarrja është në nivelin e kënaqshëm”, tha imami Fatbardh Rrahmani.
Krahasuar me vitet paraprake, interesimi i qytetarëve për të dhuruar gjak bëhet e ditur se është rritur.
“Ka pasë jashtëzakonisht një numër të mirë të dhuruesve të cilët iu kanë përgjigjë ftesës sonë dhe kjo falë edhe vetëdijësimit dhe rolit që kanë mediat si dhe rrjetet sociale dhe dmth jemi jashtëzakonisht të kënaqur dhe shpresojmë që kjo javë të ketë ndikuar që të vijë deri të rritja e vetdijësimit në lidhje me rëndësinë e dhurimit të gjakut”, tha mjeku në QKKTGj, Jetn Zeuni.
Nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut u bë thirrje që gjatë sezonit të verës të ketë më shumë dhurues të gjakut, si pasojë e rritjes së numrit të aksidenteve.






