Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vlerësuar se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte denoncimin më të fuqishëm të shkeljeve të të drejtave të tyre dhe përfaqësimin më të mirë institucional të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë të mërkurën, gjatë një takimi me përfaqësuesit e listës “Koalicioni Shqiptar” nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e uruan për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula i ka përgëzuar për bashkimin në një listë të përbashkët zgjedhore, ku janë përfshirë tetë subjekte politike shqiptare për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 25 tetor 2026.
Presidentja u ka uruar sukses në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për të siguruar përfaqësim sa më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit, në mënyrë që “Koalicioni Shqiptar” të arrijë rezultat sa më të mirë dhe zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfaqësohet më fuqishëm në Kuvendin e Serbisë./teve1.info/







