Rreth 20% e naftës që furnizon botën kalon nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit.
Që prej nisjes së luftës mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, transporti përmes kësaj ngushtice ka rënë drastikisht.
Megjithatë, të premten pritet të finalizohet një marrëveshje kornizë, e cila do t’u jap 60 ditë kohë Uashingtonit dhe Teheranit për të negociuar një marrëveshje të përhershme.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht gjatë një ceremonie në Gjenevë të Zvicrës më 19 qershor.
Dakordimi, pritet të sjellë ndikim edhe në Kosovë.
“Impakti i saj është me rëndësi për gjithë globin, një e pesta del nga Ngushtica e Hormuzit dhe inpakti energjetik do të ketë rendësi shumë të madhe dhe është një lehtësim i madh. Sigurisht në Kosovë ka impakt ulja e çmimeve edhe në vendet e tjera, por tek ne në Kosovë ka të bëjë më uljen e çmimeve të naftës, e dyta kosovarët kanë edhe biznesi siç është rrjeti i Dubait i qarkullimit të mallrave edhe kjo është e rëndësishme sepse nuk do të jetë më vatër e krizave që njerëzit munden të tërhiqen nga tregtia e tyre për të sjellë mallra në Kosovë”, ka thënë Bilalli.
E një ulje e lehtë e çmimeve të derivateve është vërejtur edhe të martën në Kosovë.
Sipas Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, një litër naftë sot në Kosovë do të shitet për 1.49 euro, për një cent më lirë se të hënën.
Por rënie, nuk do të ketë për çmimin e benzinës, ai të paktën për 24 orë do të mbetët i njëjtë 1, 39 euro.
Pavarësisht se mund të vazhdoj ky trend i uljes së çmimeve, ekonomisti Shkumbin Misini thotë kostoja e jetesës nuk do të pësoj ndryshime.
“Çmimet e derivateve mund të ulen në rast se arrihet marrëveshja, mirëpo çmimet e kostos së jetesë nuk do të ndryshojnë. Ka shumë faktorë që nuk do të ndryshojnë janë: destabiletiti politik, që nuk kemi stabilitet politik, sepse stabiliteti politikë sjellë qëndrueshmëri edhe ekonomike dhe mungesa e vizionit të qartë të politikë bërësve kosovar dhe mungesa e vizionit për të ardhmen”, u shpreh Misini.
Çmimet e naftës në Kosovë para nisjes së konfliktit, lëviznin në çmimet rreth 1 euro e 25 cent.









