Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin që ndodhi pas një fluturimi nga Zvicra për në Kosovë.
Sipas Policisë, një shtetas kosovar 34-vjeçar kishte pësuar probleme shëndetësore gjatë udhëtimit. Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ai është transportuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku më vonë ka ndërruar jetë.
Në raportin policor bëhet e ditur se mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Ngjarja është regjistruar më 14 qershor 2026 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
“ANP. Adem Jashari / 14.06.2026 – 17:13. Lidhur me rastin, viktimës mashkull kosovar pasi i ishin shfaqur probleme shëndetësore i njëjti është dërguar në QKUK ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e PK-së. /teve1.info/







