Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se është lënduar si pasojë e një shpërthimi në Babaj të Bokës në Gjakovë.
Për gjendjen e tij shëndetësore ka reaguar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, i cili ka bërë të ditur se ushtari është në gjendje stabile.
“Një ushtar të plagosur e kanë sjellë nga Spitali i Gjakovës. Gjendja është stabile, janë kryer ekzaminimet e nevojshme. Do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm”, ka deklaruar Syla.
Ushtari fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin e Gjakovës, ndërsa më pas ishte transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.







