Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës që morën pjesë në votimin e organizuar në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve që mbahen më 7 qershor.
Sipas ministrisë, procesi i votimit është zhvilluar pa probleme dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara, duke dëshmuar interesimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të bashkatdhetarëve për të kontribuar në vendimmarrjen demokratike të Kosovës.
Në njoftimin e saj, MPJD ka vlerësuar rolin e diasporës në jetën politike dhe shoqërore të vendit, duke theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje tregon lidhjen e fortë që qytetarët jashtë vendit vazhdojnë ta kenë me Kosovën.
Institucioni ka falënderuar gjithashtu stafin e misioneve diplomatike dhe konsullore për angazhimin në organizimin e procesit, si dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin gjatë realizimit të votimit.
Sipas MPJD-së, pjesëmarrja e diasporës mbetet një element i rëndësishëm në forcimin e proceseve demokratike dhe përfshirjen e qytetarëve në jetën institucionale të vendit, pavarësisht vendit ku jetojnë.







