Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, pas reshjeve të para të borës që kanë përfshirë Brezovicën, Prevallën, Jezercin dhe zona të tjera malore të rajonit të Ferizajt.
Sipas njoftimit të policisë, duke pasur parasysh mundësinë e krijimit të ngricave dhe rrëshqitjes në rrugë, shoferëve u rekomandohet që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve dhe të shmangin frenimet e menjëhershme.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në këtë rajon.
Po ashtu, policia ka rikujtuar se nga 15 nëntori deri më 15 mars, përdorimi i gomave dhe pajisjeve dimërore është i obligueshëm për të gjitha mjetet.
Në fund, Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./teve1.info/




