Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë njoftuar se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Në një komunikatë të përbashkët për media, këto institucione bëjnë të ditur se gjatë javëve të fundit kanë pranuar dhe trajtuar informacione për dyshime mbi ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme që synojnë ndikimin në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.
Sipas tyre, ndërhyrjet e jashtme në procese zgjedhore paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e qytetarëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për vepra penale që lidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës.
Ndërkaq, më 4 qershor 2026 është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit lidhur me procesin e votimit.
Institucionet kanë theksuar se këto raste dëshmojnë përpjekje për ndërhyrje në zgjedhje dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të parandaluar çdo ndikim të kundërligjshëm.
Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se po vazhdojnë të trajtojnë informacione të tjera dhe të monitorojnë situatën në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Në fund të njoftimit, u është bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe pa presion, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të ndërhyrjes, kërcënimit apo presionit gjatë procesit zgjedhor./teve1.info/







